U Shënua Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit me aksionin për pastrimin e lumit "Krivareka" në Kamenicë
Kamenicë 22.05.2021
Sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, është
ogranizuar aksioni për pastrimin e lumit “Krivareka” në Kamenicë, e mbështetur
edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Ëildlife
Photogrphers, shoqëria civile, organizata të ndryshme, nxënës, KFOR-i, Policia
e Kosovës e vullnetarë të shumtë.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe shkëlqësia e tij,
ushtruesi i detyrës së Ambasadorit amerikan z. Nicholas J. Giacobbe, i cili
bashkë me kryetarin Qëndron Kastrati, bënë edhe hapjen e këtij aktiviteti.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, u shpreh mirënjohës ndaj të
gjithë atyre që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për pastrimin e lumit
“Krivareka”.
"Falënderoj të gjithë ata që janë këtu në mbështetjen e
këtij aksioni vullnetar. Sot është Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit dhe
kemi fatin që Arian Mavriqin e kemi qytetar të komunës sonë, që ka marrë
iniciativën pë këtë aktivitet, të cilën padyshim ne si komunë së bashku me
Ambasadën Amerikane kemi pasë kënaqësinë ta mbështesim, në mënyrë që të
kontribuojmë në pastrimin e shtretërve të lumenjëve, si dhe të ngrisim
vetëdijen dhe kujdesin në mbrojtje të mjedisit” tha ai.
Sipas Kastratit, me këtë nismë kontributi për kujdesin ndaj
mjedisit, u mundëson që vizioni për Kamenicën të ketë më shumë hapësirë të jetë
një nga komunat më të gjelbra në Kosovë.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë
z. Nicholas J. Giacobbe, duke falënderuar kryetarin për ftesën tha se është
shumë i lumtur që sot janë në Kamenicë për mbështetjen e këtij aktiviteti.
"Më vjen shumë mirë që sot bashkë me ekipën e gjelbër të
Ambasadës Amerikane gjendemi në Kamenicë, për t'ju mbështetur juve në
përpjekjet tuaja për promovimin e komuniteteve dhe ujërave sa më të pastra në
Kosovë. Falënderoj kryetarin e Kamenicës për ftesën dhe mikëpritjen e ngrohtë.
Jam i inspiruar me juve vullnetarë që jeni sot këtu. Kamenica ka një reputacion
që e ka merituar falë përkushtimit të vetë banorëve për ndërtimin e komunitetit
të shëndosh”, tha ai.
Mes tjerash ai çmoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet
komunitetit në Kamenicë, si dhe KFOR-in që ishin sot të pranishëm në këtë
aksion.
“Gjithashtu e çmoj edhe marrdhënien e shkëlqyeshme ndërmjet
komunitetit vendor dhe KFOR-it, faleminderit shumë KFOR që jeni sot me ne. Kjo
që po bëjmë sot është shumë e rëndësishme, por nuk duhet të ndalemi vetëm me
këtë aktivitet këtu, prandaj është me rëndësi që të vazhdojmë të jemi aktiv.
Është shumë e veçantë që në Ditën e Biodiversitetit komunitetet e llojllojshme
po bashkohen që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti", shtoi mes tjerash
Giacobbe.