Lajm i
mirë: Vaksina gjermane kundër Covid-19 shkakton reagim imunitar në testet
paraklinike
Kompania
gjermane e bioteknologjisë, “CureVac”, tha të premten se vaksina e saj e
mundshme kundër koronavirusit e ka nxitur reagimin imunitar gjatë testimit
paraklinik në kafshë.
E përkrahur nga Fondacioni “Bill & Melinda Gates”, kompania
me seli në Tuebingen tha se vaksina të cilën po e zhvillon, e njohur si
“CVnCoV”, ka prodhuar antitrupa neutralizues dhe i ka aktivizuar qelizat T, që
janë lloj limfocitesh, në minj.
Kompania
“CureVac” është duke e përdorur qasjen e ARN-së, të cilën janë duke e përdorur
edhe kompanitë “BioNTeh”, “Pfizer” dhe “Moderna”, të cilat janë duke i testuar
vaksinat në njerëz, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Firma gjermane gjithashtu tha se vaksina e saj e ka ulur nivelin
e virusit të riprodhueshëm në traktin e sipër të frymëmarrjes dhe i ka mbrojtur
mushkëritë e minjve, kur ata iu ekspozuan një virusi të gjallë.
“Të dhënat paraklinike, të publikuara sot, tregojnë se vaksina
jonë e mundshme kundër Covid-19 e ka potencialin për të nxitur një reagim
imunitar efikas dhe të baraspeshuar, që e imiton mbrojtjen natyrale imunitare
dhe që ofron mbrojtje të mushkërive në një model përkatës sfidues”, tha
zyrtarja e kësaj kompanie, Mariola Fotin-Mleczek.